Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 22 korrik 2026, miratoi dy vendime që plotësojnë kuadrin nënligjor lidhur me shenjimin dhe gjurmueshmërinë e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj për qëllime mjekësore dhe industriale, në zbatim të ligjit nr. 61/2023.
Vendimi “Për përcaktimin e kërkesave për gjurmueshmërinë e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj, për qëllime mjekësore dhe industriale, të rregullave për elementet dhe etiketën e shenjimit, të procedurës e të mënyrës së shenjimit e të gjurmimit, si dhe të autoritetit të autorizuar për realizimin e shenjimit e të gjurmueshmërisë” përcakton në mënyrë të detajuar kërkesat teknike për sistemin e shenjimit dhe të gjurmueshmërisë, elementet e etiketës së shenjimit, si dhe procedurat që ndiqen për realizimin e shenjimit dhe gjurmimit në çdo fazë të aktivitetit.
Sistemi do të mundësojë ndjekjen e plotë të materialit nga origjina deri në destinacionin përfundimtar dhe verifikimin e historikut të tij në çdo fazë, me qëllim garantimin e kontrollit, transparencës dhe monitorimit të vazhdueshëm të aktiviteteve të licencuara dhe të lejuara.
Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it do të administrojë të dhënat e Sistemit dhe do të ushtrojë funksionet e mbikëqyrjes, kontrollit dhe inspektimit, ndërsa shoqëria “ALBTrace CO”, sh.a., do të jetë administratori teknik i tij, si dhe autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë.
Vendimi “Për përcaktimin e tarifës dhe procedurat e pagesës së kostos së shenjimit dhe gjurmimit të bimës së cannabis-it dhe të nënprodukteve dhe produkteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale” përcakton kategoritë e tarifave që lidhen me përdorimin e Sistemit dhe realizimin e procesit të shenjimit dhe gjurmimit, si dhe procedurat e faturimit dhe të pagesës nga subjektet e licencuara dhe të lejuara.
Në këtë vendim përcaktohen rregullat për porositjen e etiketave, deklarimin e sasive përkatëse dhe aktivizimin e tyre pas përmbushjes së detyrimeve të pagesës. Këto procedura synojnë të sigurojnë një proces të qartë, të rregullt dhe të kontrollueshëm për përdorimin e Sistemit dhe administrimin e etiketave të shenjimit.
Miratimi i këtyre dy vendimeve përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e ligjit nr. 61/2023 dhe në ndërtimin e një sistemi modern rregullator, të bazuar në standarde të larta kontrolli, sigurie, integriteti dhe gjurmueshmërie.