— PYETJET E SHPESHTA

Pyetje dhe përgjigje

Përgjigje të përmbledhura për pyetjet më të zakonshme rreth AKKC-së, procesit të licencimit, kontrollit dhe transparencës.

1. Çfarë është cannabis?

Cannabis është një gjini bimësh lulëzuese që i përket familjes botanike Cannabaceae, e njëjta familje ku bën pjesë edhe lupuli (Humulus). Vetë emërtimi “Cannabis” është forma e latinizuar e fjalës greke kánnabis (κάνναβις), një term i lashtë që përdorej për të përshkruar bimën dhe fibrat e saj. Gjinia u përshkrua zyrtarisht për herë të parë nga natyralisti suedez Carl Linnaeus në vitin 1753, i cili emërtoi llojin Cannabis sativa L. Shkurtimi “L.” pas emrit shkencor tregon autorin që e klasifikoi, pra Linnaeus-in. Më pas u përshkruan edhe lloje të tjera brenda kësaj gjinie:

  • Cannabis sativa L. ( Linnaeus, 1753 )
  • Cannabis indica Lam. ( Lamarck, 1785 )
  • Cannabis ruderalis Janisch. ( Janischeësky, 1924

Ligji rregullon kultivimin dhe përpunimin e bimës së cannabis-it dhe prodhimin e produkteve dhe nënprodukteve të saj vetëm për qëllime mjekësore dhe industriale, me qëllim eksportin e tyre, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe gjurmueshmërisë. Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e aktiviteteve që lidhen me cannabis-in për qëllime mjekësore dhe industriale.

Megjithëse të dyja rrjedhin nga e njëjta bimë, cannabis-i mjekësor dhe ai industrial kanë qëllime, kushte kultivimi dhe regjime ligjore të ndryshme. Të dy aktivitetet i nënshtrohen procesit të pajisjes me leje dhe licencë, gjurmueshmërisë, kontrollit laboratorik dhe mbikëqyrjes nga institucionet përgjegjëse, por zbatohen kërkesa specifike në varësi të destinacionit të produktit.

Në Republikën e Shqipërisë nuk është legalizuar përdorimi i përgjithshëm i cannabis-it. Megjithese, ligji nr. 61/2023 lejon kultivimin, përpunimin dhe prodhimin e produkteve dhe nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, në përputhje me kushtet, kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, produktet dhe nënproduktet janë te synuara vetëm për eksport.

I gjithë procesi, që nga fara deri tek produkti, monitorohet përmes një sistemi të integruar kontrolli, të parashikuar në ligjin nr. 61/2023 dhe aktet nënligjore. Këto masa bazohen në parimin “seed-to-sale control”, siguri fizike, mbikëqyrjes dhe kontrollit në kuadër të inspektimeve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it.

Licenca ose leja për ushtrimin e veprimtarisë së kultivimit dhe prodhimit të bimës së cannabis-it mund t’u jepet subjekteve juridike të organizuara sipas legjislacionit shqiptar, të cilat plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 61/2023 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Licenca nuk përbën fundin e procesit të kontrollit. Subjektet e licencuara i nënshtrohen mbikëqyrjes, inspektimeve dhe kontrolleve të vazhdueshme nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, për të siguruar që janë përmbushur kushtet e përcaktuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi. Subjektet e licencuara janë të detyruara të zbatojnë sisteme të gjurmueshmërisë, monitorimit elektronik, sigurisë fizike dhe raportimit periodik.

Sistemi i gjurmueshmërisë është një mënyrë identifikimi për përcaktimin e saktë të vendndodhjes së bimës së cannabis-it mjekësor dhe industrial, nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj në të gjitha fazat nga mbjellja deri te përdorimi i fundit, si dhe të poseduesit të saj në të gjitha fazat.

Agjencia bashkëpunon me institucione të tjera shtetërore për ushtrimin e funksioneve të saj. Ky bashkëpunim synon garantimin e kontrollit efektiv, mbikëqyrjes dhe zbatimit të kuadrit ligjor, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin ndërinstitucional në funksion të veprimtarisë së licencuar dhe të lejuar.

Agjencia mund të vendosë masa administrative progresive, si: gjoba, pezullim i aktivitetit, revokim i licencës (heqje përfundimtare e saj). Ndërsa, për shkelje të rënda, devijim në treg ilegal, kalohet në ndjekje penale sipas Kodit Penal.