Marrëveshje Bashkëpunimi për monitorimin e procedurave të importit dhe eksportit të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, znj. Anila Alliu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi që synon forcimin e koordinimit ndërinstitucional në kontrollin dhe monitorimin e procedurave të importit dhe eksportit të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.

Marrëveshja krijon kuadrin e bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it dhe Administratës Doganore për shkëmbimin e informacionit, koordinimin e veprimeve dhe zbatimin e procedurave të kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe Administrata Doganore do të bashkëpunojnë në verifikimin e dokumentacionit përkatës, shkëmbimin e të dhënave, identifikimin dhe parandalimin e shkeljeve të legjislacionit, si edhe në zhvillimin e kontrolleve dhe veprimtarive të përbashkëta.

Bashkëpunimi parashikon gjithashtu përdorimin e kanaleve të sigurta për shkëmbimin e informacionit, zhvillimin e mekanizmave të përbashkët të menaxhimit të riskut, organizimin e trajnimeve të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke kontribuar në rritjen e efektivitetit të kontrolleve, garantimin e zbatimit të legjislacionit, si dhe në ndërtimin e një sistemi të sigurt, transparent dhe të gjurmueshëm për monitorimin e procedurave të importit dhe eksportit të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.