Këshilli i Ministrave miratoi, më 30 korrik 2026, vendimin “Për krijimin e Regjistrit Kombëtar të aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it”.
Regjistri do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, dhe do të përmbajë informacionin për proceset e licencimit, lejimit dhe autorizimit, si dhe të dhënat për kultivimin, përpunimin, transportin, eksportin, gjurmueshmërinë, kontrollet, inspektimet dhe masat administrative.
Me qëllim lehtësimin e procedurave të aplikimit dhe verifikimin e të dhënave, Regjistri do të ndërveprojë me sistemin e shënjimit dhe gjurmueshmërisë, si dhe bazat e të dhënave shtetërore duke përfshirë regjistrin për gjendjen civile, regjistrin tregtar, sistemin tatimor dhe sistemin doganor.
Ky ndërveprim do të mundësojë shkëmbimin dhe sinkronizimin e informacionit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, duke forcuar bashkërendimin ndërinstitucional dhe duke krijuar kushtet për verifikime më të shpejta, më të sakta dhe të mbështetura në të dhëna të përditësuara.
Vendimi përcakton gjithashtu nivelet e aksesit të përdoruesve, përgjegjësitë e institucioneve dhe subjekteve të licencuara dhe të lejuara, regjistrimin e veprimeve në log-e të auditueshme, si dhe masat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ruajtjen e konfidencialitetit.
Krijimi i Regjistrit përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së aktivitetit të licencuar dhe të lejuar të bimës së cannabis-it. Ai synon të rrisë transparencën, gjurmueshmërinë dhe përgjegjshmërinë në çdo fazë të aktivitetit, si dhe të mbështesë përmbushjen e standardeve të larta të sigurisë, kontrollit dhe administrimit të të dhënave.
Nëpërmjet administrimit të integruar të informacionit, Regjistri do të ndihmojë Agjencinë dhe institucionet e përfshira në evidentimin në kohë të problematikave, në monitorimin e veprimtarisë së subjekteve dhe në marrjen e masave të nevojshme administrative.