Pjesëmarrja e Agjencisë në mbledhjen e 17-të të Nënkomitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri për Kapitullin 24
Në datat 3-4 mars 2026, në Bruksel, Belgjikë, u zhvillua mbledhja e 17-të e Nënkomitetit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri për Kapitullin 24: “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, ku Agjencia u përfaqësua nga Drejtorja e Përgjithshme, znj. Anila Alliu.
Në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi në fushën e drogave, me vëmendje të veçantë te sekuestrimet, asgjësimi dhe zbatimi i masave ndaj shkeljeve që mund të lidhen me kultivimin e ligjshëm të bimës së cannabis-it.
Për Agjencinë, ky takim ishte një mundësi për të paraqitur qasjen e Shqipërisë, sipas së cilës zhvillimi i sektorit të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale nuk nënkupton hapje të pakontrolluar të tregut, por ndërtimin e një sistemi shtetëror kontrolli, ku çdo aktivitet duhet të jetë i licencuar, i monitoruar dhe i gjurmueshëm.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e:
-
forcimit të kuadrit ligjor dhe institucional në vend;
-
krijimit të mekanizmave efektivë të monitorimit dhe kontrollit;
-
parandalimit të çdo devijimi nga aktiviteti i ligjshëm;
-
zbatimit të masave të sekuestrimit dhe asgjësimit sipas standardeve evropiane.
Pjesëmarrja në këtë proces rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë për të ndërtuar një model të kontrolluar, transparent dhe të besueshëm, në përputhje me kërkesat e integrimit evropian dhe me përgjegjësinë që kërkon një sektor i tillë i ndjeshëm.




