Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it po avancon drejt krijimit të një mekanizmi të qëndrueshëm për analizimin laboratorik të mostrave të cannabis-it, si pjesë e forcimit të kapaciteteve të saj mbikëqyrëse.
Në këtë kuadër, më 16 korrik 2026, përfaqësues të Agjencisë zhvilluan një vizitë teknike pranë Stabilimentit Kimiko-Farmaceutik Ushtarak (SCFM) në Firence. Vizita kishte në fokus vlerësimin e kapaciteteve të këtij institucioni dhe përcaktimin e kuadrit konkret të bashkëpunimit për kryerjen e analizave laboratorike.
Gjatë takimit u shqyrtua projektmarrëveshja teknike që do të rregullojë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve. Diskutimet u përqendruan në të gjithë procesin që shoqëron analizimin e mostrave: nga dërgimi, transporti dhe ruajtja e tyre, deri te kryerja e analizave, gjurmueshmëria e dokumentacionit dhe lëshimi i Certifikatës së Analizës.
SCFM-ja prezantoi panelin analitik të parashikuar për lulesat e thara të cannabis-it, të mbështetur në kërkesat e Farmakopesë Evropiane. Ky panel synon të mundësojë verifikimin e identitetit, përbërjes dhe cilësisë së mostrave, përfshirë përcaktimin e kanabinoideve, kontrollin mikrobiologjik dhe testimin për praninë e kontaminantëve.
Delegacioni vizitoi gjithashtu ambientet laboratorike, ku u njoh me pajisjet, organizimin e proceseve analitike dhe sistemin e kontrollit dhe sigurimit të cilësisë të zbatuar nga SCFM-ja sipas kërkesave GMP.
Vizita përmbylli diskutimet kryesore teknike dhe i hapi rrugë formalizimit të bashkëpunimit. Pas shqyrtimit përfundimtar juridik nga AKKC-ja, palët do të vijojnë me nënshkrimin e marrëveshjes.