Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, bashkëpunojnë në zbatim të VKM-së nr. 630/2026 për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Aktiviteteve të Licencuara dhe të Lejuara të Bimës së Cannabis-it.

Takimi u përqendrua në hapat institucionalë dhe teknikë për ngritjen dhe funksionalizimin e Regjistrit, si dhe në koordinimin ndërmjet dy institucioneve për realizimin e këtij procesi. Në këtë kuadër, u diskutuan aspektet që lidhen me mbështetjen teknike të AKSHI-t për zhvillimin dhe hostimin e Regjistrit, si dhe ofrimin e asistencës teknike për funksionimin dhe përdorimin e tij.

Regjistri Kombëtar do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për administrimin dhe përditësimin e të dhënave mbi aktivitetet e licencuara dhe të lejuara në fushën e Cannabis-it.

Funksionalizimi i tij do të mbështesë digjitalizimin e proceseve administrative, forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe gjurmueshmërisë, si dhe garantimin e standardeve të sigurisë dhe administrimit të të dhënave.

Në vijim të takimit, Agjencia dhe AKSHI do të vijojnë bashkëpunimin për përcaktimin dhe konkretizimin e kërkesave funksionale dhe teknike të Regjistrit, përfshirë kategoritë e të dhënave që do të administrohen, proceset që do të mbështeten elektronikisht dhe funksionalitetet e nevojshme për operimin e tij. Në funksion të këtij procesi, do të ngrihet një grup i përbashkët pune ndërinstitucional për koordinimin dhe ndjekjen e fazave të zhvillimit dhe funksionalizimit të Regjistrit.

Bashkëpunimi me AKSHI-n për ngritjen e Regjistrit Kombëtar përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e infrastrukturës digjitale të Agjencisë dhe në forcimin e mekanizmave për administrimin, kontrollin dhe monitorimin efektiv të veprimtarive të licencuara dhe të lejuara në fushën e Cannabis-it.