Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 12.03.2025, ora 16.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Rruga “Ibrahim Rugova”, Pallati Sky Tower, kati 13, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendin vakant për pozicionin Koordinator në Sektorin e Standardeve, Statistikave dhe Inovacionit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencimit, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
A. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
- Ndërton dhe administron regjistrin në formën e bazës së të dhënave shtetërore, i cili përmban të gjithë informacionin për subjektet e lejuara e të licencuara, kërkesën për licencim, vendimmarrjen për licencimin, kërkesën për autorizim, vendimmarrjen për autorizimin, kërkesën për leje, vendimmarrjen për lejen, gjurmimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin, masat administrative lidhur me të gjitha fazat e kultivimit të cannabis-it, duke filluar nga momenti i dhënies së licencës, lejes dhe autorizimit deri te revokimi i tyre, dhe sekuestrimi apo asgjësimi i bimëve apo nënprodukteve të saj, sipas parashikimeve të ligjit.
- Mban dhe administron regjistra, bazën e të dhënave dhe statistika në nivel kombëtar sipas parashikimeve përkatëse ligjore
- Gjeneron raporte bazuar në të dhënat statistikore mbi bazë kërkese në mënyrë periodike.
- Ndjek ecurinë e projekteve në lidhje me digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të proceseve të punes se agjencisë.
- Bashkëpunon me organizata ndërkombëtare dhe donatorë si pikë kontakti për evidentimin e mundësive të reja për thithjen e fondeve.
- Kryen kërkime mbi zgjedhjet inovative, teknologjitë në zhvillim, tendencat dhe praktikat më të mira në fushën e Agjencisë.
- Shqyrton aplikimin e subjekteve në lidhje me kërkesat për gjurmueshmeri për databazën dhe kriteret e sigurisë dhe të ndjekë procedurat që kanë lidhje me gjurmueshmerinë.
- Mbikëqyr hedhjen e të dhënave në regjistër të të gjitha etapave që kanë lidhje me gjurmueshmerinë.
- Bashkëpunon me institucionet qeveritare për aplikimin e proceseve dhe shërbimeve inovative.
- Kryen edhe detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga eprorët/ Drejtori i Përgjithshëm.
B. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
- Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
- Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze;
- Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;
- Mos të jetë larguar nga puna me masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
C. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
D. Kriteret preferenciale për përzgjedhjen e kandidatit janë:
- Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave kompjuterike, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e detyrave kryesore. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.
- Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
- administratë publike;
- organizata ndërkombëtare;
- procese pune për ndërtimin/menaxhimin e databazave;
- njohuri në mbledhjen, përpunimin dhe hartimin e raporteve statistikore;
- eksperiencë në profesion dhe/ose në fushën e TIK;
- eksperiencë në hartim dhe ose menaxhim projektesh.
- Preferohet të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian.
- Të jetë i pajisur me Certifikatë të Sigurisë së Personelit të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të nivelit “Konfidencial” ose “Sekret” ose të plotësojë kushtet për tu pajisur me CSP për nivelet e kërkuara.
E. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
-
- Koordinuar;
- Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
- Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
- Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
- Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
- Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
- Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
- Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes B dhe D (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
- Fotokopje e librezës së punës;
- Vetëdeklarim për masat disiplinore, si dhe që nuk është larguar nga puna me masë disiplinore, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi (shkarko formularin);
- Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
- Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
- Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
- Dëshmia përkatëse për njohjen e gjuhës angleze (nëse aplikanti ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në gjuhën angleze, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Vërtetim nga prokuroria që vërteton se, nuk është në hetim për një vepër penale të kryer në fushën e narkotikëve, në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë, për vepra që kanë lidhje me integritetin dhe figurën morale.
- Vërtetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që vërteton se, nuk është në hetim në fushën e narkotikëve, në fushën e pastrimit të parave, të financimit të terrorizmit apo të armëve të shkatërrimit në masë, për vepra që kanë lidhje me integritetin dhe figurën morale, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal apo krim të organizuar. (Nëse është e pamundur të merret vërtetimi brenda afatit të caktuar për dorëzimin e dokumentacionit në shpallje, aplikanti duhet ta dorëzojë në çdo rast përpara fillimit të marrëdhënieve të punës).
- Çdo dokument tjetër, që vërteton kualifikimet, trajnimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në këtë shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse aplikanti ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.