Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 19.07.2024, ora 12.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Rruga e Kavajës, 1001, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator në Sektorin e Standardeve, Statistikave dhe Inovacionit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencimit, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it , me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi përgjithëshëm i punës:
● Harton standardet në lidhje me projektimin e makinerive bujqësore, vendndodhjen dhe planifikimin e strukturave të fermës, aspektet e kullimit, meaxhimin e tokës dhe kontrollin e erozionit, furnizimin me ujë dhe ujitjen, për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it si dhe aspektet e elektrifikimit dhe përpunimin e produkteteve;
● Kujdeset për hartimin e standardeve më të larta për proceset e kultivimit të bimës së cannabis-it për garantuar një prodhim të qëndrueshëm dhe efikas nëpërmjet zbatimit të standardeve për optimizimin e fertilitetit të tokës, menaxhimit të ujit, zgjedhjes së vendndodhjes së mjedisit, disponueshmërisë së ushqyesve minerale të tokës dhe mirëmbajtjes mjedisore.
● Harton standardet për çdo fazë të procesit të lidhur me kultivimin e bimës së cannabis-it dhe ia rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm.
● Harton dhe rekomandon zhvillimin e teknikave më të mira të mbjelljes, kultivimit dhe korrjes të cannabis-it me qëllim përmirësimin e rendimentit të të korrave dhe shfrytëzimin maksimal të produktit.
● Koordinon dhe promovon strategjitë bujqësore për të kundërshtuar efektet e ndryshimeve në tokë, klimë dhe efekteve nga pesticidet e ndryshme me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe tokës.
● Bashkëpunon në vazhdimësi me Qendrën Europiane për Monitorimin e Drogërave dhe Varësisë ndaj tyre dhe Bordin Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve.
● Bashkëpunon në vazhdimësi me Entin Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve dhe njësinë rajonale përgjegjëse për bujqësinë.
● Kujdeset për përgatitjen e dokumentacionit përkatës dhe koordinon punën me autoritetet përgjegjëse shtetërore për kryerjen e regjistrimit dhe përfshirjen e menjëhershme në katalogun kombëtar të farërave dhe fidanëve, që janë të shoqëruara me testimin dallueshmëri-uniformitet-stabilitet (DUS).
● Kujdeset për ngritjen e një sistemi efikas të GACP nga subjektet e licencuara dhe mbikëqyr zbatimin e tyre duke bashkëpunuar me njësinë përkatëse të monitorimit të cannabis-it për qëllime industriale dhe mjekësore.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtorisë.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare të Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret preferenciale për përzgjedhjen e kandidatit janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, preferohen kandidatët që zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave agro-inxhinierike ose fusha të ngjashme me to si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, preferohen kandidatët që kanë përvojë pune në një ose më shumë nga këto fusha:
· administratën publike;
· organizata kombëtare/ndërkombëtare në lidhje me bujqësinë;
· në shoqëri private në procese pune për hartimin e standardeve;
· njohuri në fushën rregullatore të barnave/substancave psikotrope.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
1. Koordinuar;
2. Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
3. Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
4. Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
5. Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
- Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
- Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
- Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
- Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
- Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
- Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.