Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it zhvilloi më 27 prill 2026 një vizitë teknike në njësinë prodhuese të PharmaRolly Holdings B.V. në Shkup. Delegacioni, i udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Anila Alliu, vizitoi kompaninë pas takimit të zhvilluar gjatë Samitit Global Rregullator për Cannabis-in 2026 në Londër (19–21 prill), ku CEO i kompanisë z. Stephen Malloy ftoi Agjencinë të njihej nga afër me aktivitetin e saj.
PharmaRolly është prezente në Maqedoninë e Veriut që prej vitit 2019. Ka ndërtuar në shtatë vjet një sistem prodhimi të bazuar tërësisht në standardet ndërkombëtare dhe ka arritur certifikimin EU-GMP në korrik 2024. Sot eksporton cannabis mjekësor në Gjermani, Zvicër dhe Mbretëri të Bashkuar, tregje që kërkojnë nga prodhuesit nivelin më të lartë të kontrollit dhe cilësisë.
Ekipi i Agjencisë u njoh nga afër me të gjithë zinxhirin e prodhimit: serat e kultivimit sipas standardeve GACP, sistemet e ekstraktimit me CO₂, linjat e tharjes dhe ruajtjes, si dhe procedurat e kontrollit të cilësisë. Ishte një mundësi për të parë në praktikë se çfarë do të thotë konkretisht zbatimi i standardeve EU-GMP, jo vetëm në letër, por në çdo fazë të prodhimit.
Shqipëria ndodhet aktualisht në fazën e ndërtimit të sistemit të licencimit të cannabis-it mjekësor. Eksperienca e PharmaRolly ofron pikërisht atë lloj njohurie praktike që Agjencia ka nevojë, në zbatim të Ligjit nr. 61/2023.
“Falënderoj Steve Malloy për mikpritjen dhe mundësinë e vlefshme për të vizituar ambientet e certifikuara me EU-GMP në Shkup. Ky shkëmbim përvojash na ofroi një perspektivë mjaft praktike mbi standardet e larta, disiplinën dhe kontrollin operacional që nga kultivimi deri te sistemet e cilësisë, duke shërbyer si një model i shkëlqyer i funksionimit të cannabis-it mjekësor brenda një kuadri të rregulluar.” – Anila Alliu, Drejtori i Përgjithshëm, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it.
“Mirënjohës për këtë lloj bashkëpunimi ndërkufitar. Ndihmon industrinë të rritet dhe, më e rëndësishmja, përmirëson aksesin për pacientët.” – Stephen Malloy, CEO i PharmaRolly Holdings B.V.




