03 – Shpallje për vendin vakant, Koordinator në Sektorin e Standardeve, Statistikave dhe Inovacionit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, klasa e pagës II-1

Dokumentet duhet të dorëzohen me postë ose dorazi, deri më datë 24.05.2024, ora 12.00, në adresën: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Rruga e Kavajes, Nr. 1001,Tirane, Shqipëri.

Gjithashtu aplikimi duhet të bëhet edhe elektronikisht në link sipas afatit të sipërcituar.

Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së of cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, si dhe të Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, Agjencia shpall konkurrimin për pozicionin Koordinator në Sektorin e Standardeve, Statistikave dhe Inovacionit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:

Përshkrimi përgjithësues i punës: 

  • Ndërton dhe administron regjistrin në formën e bazës së të dhënave shtetërore, i cili përmban të gjithë informacionin për subjektet e lejuara e të licencuara, kërkesën për licencim, vendimmarrjen për licencimin, kërkesën për autorizim, vendimmarrjen për autorizimin, kërkesën për leje, vendimmarrjen për lejen, gjurmimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin, masat administrative lidhur me të gjitha fazat e kultivimit të of cannabis-it, duke filluar nga momenti i dhënies së licencës, lejes dhe autorizimit deri te revokimi i tyre, dhe sekuestrimi apo asgjësimi i bimëve apo nënprodukteve të saj, sipas parashikimeve të ligjit.
  • Mban dhe administron regjistra, bazën e të dhënave dhe statistika në nivel kombëtar sipas parashikimeve përkatëse ligjore
  • Gjeneron raporte bazuar në të dhënat statistikore mbi bazë kërkese në mënyrë periodike.
  • Ndjek ecurinë e projekteve në lidhje me digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të proceseve të punes se agjencisë.
  • Bashkëpunon me organizata ndërkombëtare dhe donatorë si pikë kontakti për evidentimin e mundësive të reja për thithjen e fondeve.
  • Kryen kërkime mbi zgjedhjet inovative, teknologjitë në zhvillim, tendencat dhe praktikat më të mira në fushën e Agjencisë.
  • Bashkëpunon me institucionet qeveritare për aplikimin e proceseve dhe shërbimeve inovative.
  • Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm.

 Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë: 

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
  4. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  5. Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave. Të barasvlefshme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
  6. Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet;
  7. Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze certifikuar nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare;
  8. Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:

Të plotësojë kriteret e integritetit  moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.

Kriteret preferenciale për përzgjedhjen e kandidatit janë:

  • Në lidhje me fushën e kualifikimeve, preferohen kandidatët që zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave kompjuterike si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve.
  • Në lidhje me eksperiencën profesionale, preferohen kandidatët që kanë përvojë pune në një ose më shumë nga këto fusha:
  • administratën publike;
  • organizata kombëtare/ndërkombëtare;
  • në procese pune për ndërtimin/menaxhimin e databazave;
  • njohuri në mbledhjen, përpunimin dhe hartimin e raporteve statistikore;
  • Eksperiencë në profesion dhe/ose në fushën e TIK;
  • Eksperiencë në hartim dhe ose menaxhim projektesh.
  • Të ketë njohuri të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/gjermanisht/italisht/spanjisht) të Bashkimit Evropian.
  • Të jetë i pajisur me Certifikatë të Sigurisë së Personelit të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të nivelit “Konfidencial” ose “Sekret” ose të plotësojë kushtet për tu pajisur me CSP për nivelet e kërkuara.

 Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:

  1. Koordinuar;
  2. Analitike dhe të zgjidhjes së problemeve në mënyrë inovative e krijuese.
  • Të njohjes së teknologjive të ndryshme, dhe aftësi të kuptimit të shpejtë të teknologjive të reja dhe identifikimi i vlerat që sjellin keto teknologji për tregun përkatës;
  1. Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
  2. Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
  3. Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
  • Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.

Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi. Fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.

Vlerësimi bëhet në bazë të përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë, të intervistës me gojë lidhur me aftësitë dhe kompetencën për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret e mësipërme do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.

 Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon: 

  1. Kërkesë për aplikim;
  2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
  3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
  4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
  5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
  6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin)  (shkarko cover)
  7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
  8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
  9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
  10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
  11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
  12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore (ose në rast të mospajisjes në kohë me dokumentin përkatës nga qendra përkatëse shëndetësore, një vetëdeklarim mbi gjendjen shëndetësore);
  13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.

 Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar, sjell skualifikim të kandidatit.

 Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!

Afati i aplikimeve ka përfunduar.