22 – Shpallje për vendin vakant, Specialist në Sektorin e Sigurisë së Personelit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, klasa e pagës IV-1

Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 19.07.2024, ora 12.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:

Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Rruga e Kavajës, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së of cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Specialist në Sektorin e Sigurisë së Personelit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:

I. Përshkrimi përgjithësues i punës:

● Merr pjesë në procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës për punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit e subjekteve të licencuara sipas përcaktimeve në ligj dhe në Udhëzimin që përcakton metodologjinë e verifikimit të pastërtisë së figurës.

● Mbledh dokumentacionin dhe merr pjesë në procesin e hartimit të raportit përfundimtar nëse aplikanti/punonjësi i agjencisë/punonjësit e subjekteve të licencuara dhe lejuara përmbushin ose jo kriteret e pastërtisë së figurës.

● Administron komunikimin shkresor lidhur me detyrat e caktuara për përgjegjësitë që rezultojnë nga procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës si dhe përgatitja e përgjigjeve për kërkesat e adresuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

● Mban dhe përditëson databazat përkatëse me të dhënat e aplikantëve.

● Kryen detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm, Drejtori i Drejtorisë dhe Drejtuesi i Sektorit.

II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

d) Të zotërojë diplomën universitare të Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);

dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;

e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;

ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;

f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.

III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:

Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.

IV. Kriteret preferenciale për përzgjedhjen e kandidatit janë:

1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët pr diplomë universitare në fushën në fushën e shkencave shoqërore, juridike ose sigurisë/mbrojtjes, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.

2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në një ose më shumë nga këto fusha:

– administratë publike, në veçanti në institucione që lidhen me fushën e zbatimit të ligjit 61/2023;

– zbatim i ligjit/sigurisë;

– organizata ndërkombëtare;

– marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare në fushën e sigurisë.

3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.

4. Të jetë i pajisur me Certifikatë të Sigurisë së Personelit të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të nivelit “Konfidencial” ose “Sekret”, ose të plotësojë kushtet për t’u pajisur me CSP për nivelet e kërkuara.

V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:

i) Integruar informacionin me politikat institucionale;

ii) Identifikuar dhe qartësuar çështje e dhënë mendime alternative të mbështetura në përvojën profesionale;

(iii) Analizuar, komunikuar, prezantuar, si dhe për të pranuar metoda dhe procedura të reja.

Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira komunikimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.

Vlerësimi bëhet në bazë të:

1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;

2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;

3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

  1. Kërkesë për aplikim;
  2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
  3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
  4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
  5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
  6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin)  (shkarko cover)
  7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
  8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
  9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
  10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
  11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
  12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar, sjell skualifikim të kandidatit.

Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!

* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.