16 – Shpallje për vendin vakant, Koordinator (Financë) në Sektorin e Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, klasa e pagës II-1

Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 19.07.2024, ora 12.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:

Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Rruga e Kavajës, 1001, Tiranë, Shqipëri.

Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së of cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator (Financë) në Sektorin e Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencimit, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:

I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:

● Vlerëson në tërësi aspektet financiare të aplikimeve për pajisje me leje për ushtrimin e aktiviteteve që lidhen me prodhimin e cannabis-it mjekësor ose indrustrial dhe monitoron këto aspekte në vijimësi.

● Përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e strategjisë së zhvillimit të Agjencisë nga pikëpamja financiare dhe për menaxhimin e fondeve në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

● Siguron mbajtjen e sistemit të kontabilitetit: kontabilizimin e plotë, të saktë dhe në kohë të të gjithë transaksioneve të kryera si dhe përgatitjen e pasqyrave financiare të agjencisë në përputhje me rregullat e miratuara nga Ministria e Financës.

● Drejton veprimtarinë administrative financiare, administrimin e fondeve buxhetore dhe kujdeset për përdorimin e fondeve në dispozicion të institucionit, fondin e pagave si dhe për të gjitha transaksionet e tjera financiare që lidhen me nevojat e brendshme të institucionit si dhe në marrëdhëniet me të tretët, në mënyrë ekonomike, eficente dhe efektive.

● Garanton nëpunësin autorizues para miratimit të shkresave/urdhrave me karakter financiar, lidhur me ligjshmërinë, rregullshmërinë dhe respektimin e parimeve të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit.

● Përgjigjet për përgatitjen e dokumentit përfundimtar të buxhetit dhe bashkërendimin e punës gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit.

● Identifikon dhe krijon regjistrin e riskut, vlerësimin, kontrollin e risqeve që vënë në rrezik arritjen e objektivave dhe realizimin me sukses të veprimtarive të Agjencisë dhe ia paraqet Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.

● Siguron mirëadministrimin e dokumentacionit financiar që krijohet gjatë vitit ushtrimor në përputhje me legjislacionin në fuqi.

● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtorit i Drejtorisë.

II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave. Të barasvlefshme me to sipas legjislacionit të arsimit të lartë);

dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se tre (3) vjet;

e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;

ë) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.

III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:

Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.

IV. Kriteret preferenciale për përzgjedhjen e kandidatit janë:

Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave ekonomike, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.

1. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:

– administratë publike;

– koordinim ndërinstitucional;

– procese pune që lidhen me financat, hartim zbatim buxheti;

– menaxhim i fondeve publike.

2. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.

V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:

a) Koordinuar;

b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;

c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;

d) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;

e) Analizuar dhe përshtatur

Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.

Vlerësimi bëhet në bazë të:

1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;

2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;

3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

  1. Kërkesë për aplikim;
  2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
  3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
  4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
  5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
  6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin)  (shkarko cover)
  7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
  8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
  9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
  10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
  11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
  12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar, sjell skualifikim të kandidatit.

Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!

* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.