Stabilimenti Kimiko-Farmaceutik Ushtarak i Firences (SCFM), institucion i themeluar në 1832, është sot institucioni i vetëm në Itali i autorizuar për prodhimin e cannabis-it mjekësor për qëllime mjekësore.
Kolonel Arcangelo Moro priti delegacionin e Agjencisë, udhëhequr nga znj. Anila Alliu, Drejtor i Përgjithshëm, dhe prezantoi institucionin SCFM, i cili ushtron veprimtarinë nën Ministrinë e Mbrojtjes dhe Agjencinë e Industrive të Mbrojtjes, me mbikëqyrje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Italiane e Barnave (AIFA).
Gjatë vizitës në terren, delegacioni u njoh në mënyrë të detajuar me të gjithë zinxhirin operacional të kultivimit dhe prodhimit. U prezantua sistemi hidroponik i kultivimit, i automatizuar që monitoron në kohë reale parametrat kryesorë si pH, temperatura dhe konduktiviteti elektrik. Gjithashtu, u demonstrua mënyra e organizimit të gjurmueshmërisë së bimëve përmes identifikimit individual të çdo serie prodhimi, element me rëndësi të veçantë për garantimin e pajtueshmërisë me standardet GACP.
U vizituan ambientet e kultivimit me ndriçim të kontrolluar LED dhe HPS, zonat e korrjes dhe tharjes, si dhe laboratorët dhe linjat e prodhimit të principit aktiv farmaceutik (API) sipas standardeve GMP. U evidentua rëndësia e kontrollit rigoroz të cilësisë për çdo seri prodhimi, përdorimi i analizave laboratorike të avancuara dhe dokumentimi i plotë i proceseve përmes sistemeve të certifikimit dhe lëshimit të serive.
Interes të veçantë pati prezantimi mbi masat e sigurisë fizike dhe kontrollit të aksesit në ambientet e prodhimit dhe magazinimit. Sistemi i sigurisë funksionon në përputhje me kërkesat dhe protokollet e Ministrisë së Mbrojtjes, duke garantuar mbrojtje të plotë nga devijimi i substancave të kontrolluara.
Pjesëmarrja në këtë vizitë studimore kontribuoi në forcimin e kapaciteteve institucionale të Agjencisë dhe njohjen me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e rregullimit të cannabis-it mjekësor. Gjatë vizitës u vendosën kontakte strategjike për bashkëpunim të mëtejshëm mes institucioneve.




