Në një seminar të organizuar nga GIZ Albania, ekspertë nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Europiane e Drogave shpjeguan se si po ndërtohet kuadri i ardhshëm i politikave shqiptare mbi drogat dhe ku përshtatet cannabis-i mjekësor në të.
Strategjia Kombëtare për Kontrollin e Drogave 2026-2030 ka nevojë për të dhëna, jo vetëm vullnet politik. Ky ishte mesazhi kryesor i seminarit kombëtar mbi politikat e drogave, organizuar më 26 maj 2026 nga Partneriteti Global mbi Politikat dhe Zhvillimin e Drogave (GPDPD/GIZ), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it ishte pjesë e tryezës, krahas institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në procesin e hartimit të Strategjisë.
Seminari nisi me prezantime nga ekspertë ndërkombëtarë: Alexandru Costache nga DG-HOME solli në vëmendje Strategjinë e Bashkimit Evropian për Drogat, ndërsa Frédéric Denecker nga Agjencia Europiane e Drogave (EUDA) shpjegoi se si po zhvillohet bashkëpunimi mes EUDA-s dhe Shqipërisë. Julie Hannah, nga Universiteti i Essex-it, e ktheu diskutimin nga teknika te parimi: çdo politikë droge, sa herë trajtohet kontrolli, duhet të mbajë në qendër respektimin e të drejtave të njeriut.
Ekspertët vendas prezantuan realitetin shqiptar: progresin e grupit ndërinstitucional pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, draftin e Ministrisë së Brendshme për Strategjinë kundër Krimit të Organizuar, indikatorët e Observatorit Kombëtar të Drogave dhe sfidat e reja që Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm po identifikon te substancat e reja psikoaktive.
Në përfundim të seminarit u diskutua mbi strukturën e Strategjisë moderuar nga Thomas Martinelli, ekspert i Institutit Trimbos ku u vendosën hapat konkretë vijues dhe koordinimin mes institucioneve të përfshira.
Cannabis-i mjekësor dhe industrial është pjesë e të njëjtës arkitekturë politikash që Strategjia synon të ndërtojë, dhe çdo hap drejt një kuadri kombëtar më të qartë mbi drogat prek drejtpërdrejt mënyrën se si do të funksionojë kontrolli i sektorit në vitet në vijim nga Agjencia.




