Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it mori pjesë në takimin e parë të grupit ndërinstitucional të punës, të ngritur me Urdhrin Nr. 42, datë 22.01.2026, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Procesi synon hartimin e Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Drogave 2026–2030, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Grupin ndërinstitucional i punës për hartimin e Strategjisë përbëhet nga përfaqësues të 23 institucioneve shtetërore dhe ka për detyrë hartimin e një analize të situatës, draftin e strategjisë, planit të veprimit, si dhe zhvillimin e konsultimeve me ekspertë dhe organizata ndërkombëtare.
Takimi i parë u zhvillua më datë 7 prill 2026 pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Drejtuesja e grupit, znj. Eugena Tomini, prezantoi rëndësinë e iniciativës dhe kuadrin ligjor e institucional të procesit.
Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it është anëtare e grupit, duke kontribuar me ekspertizën e saj në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjes së cannabis-it mjekësor dhe industrial. Kontributi i Agjencisë do të fokusohet në parandalimin e devijimit të produkteve të ligjshme drejt tregut të paligjshëm, një nga shtyllat kryesore të politikave të kontrollit të drogave.
Strategjia do të mbështetet në tre shtylla kryesore: reduktimi i ofertës, reduktimi i kërkesës dhe reduktimi i dëmit. Procesi do të zhvillohet me referencë të drejtpërdrejtë ndaj Strategjisë së BE-së për Kontrollin e Drogave 2026–2030, standardeve të OBSH dhe UNODC, si dhe kërkesave të kapitullit 24 të negociatave të anëtarësimit në BE.




