Mbikëqyrje e cannabis-it në çdo fazë: kontrolle në terren dhe gjurmueshmëri e plotë

Këshilli i Ministrave miratoi, në mbledhjen e datës 2 tetor 2026, vendimin që përcakton rregullat e hollësishme për mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e subjekteve dhe veprimtarive të licencuara apo të lejuara për bimën e cannabis-it, nënproduktet dhe produktet e saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Agjencia Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it ushtron mbikëqyrje përgjatë gjithë ciklit të aktivitetit të subjektit, në terren dhe në distancë si dhe koordinon kontrollet dhe inspektimet nga autoritetet e tjera kompetente.

Inspektimi në terren realizohet në bazë të analizës së riskut dhe programit vjetor të kontrollit, në njësinë e prodhimit, në ambientet e lidhura me veprimtarinë e subjektit, në mjetet e transportit dhe në çdo vend tjetër ku ushtrohet veprimtaria e licencuar apo e lejuar. Inspektimet kryhen nga punonjës të autorizuar të Agjencisë dhe, sipas rastit, mund të zhvillohen edhe në bashkëpunim me autoritetet e tjera përgjegjëse.

Kontrolli dhe inspektimi në distancë realizohen përmes mjeteve të autorizuara me teknologji të avancuar, përfshirë sensorët, dronët, imazhet satelitore dhe sistemet CCTV, të cilat mundësojnë akses të pandërprerë 24/7.

Aktiviteti i subjekteve të licencuara dhe të lejuara do të jetë nën një sistem mbikëqyrjeje të vazhdueshme. Kontrollet do të zhvillohen sipas një programi vjetor bazuar në analizën e riskut, ndërsa, në rastet kur ka dyshime për shkelje apo mospërputhje, ato mund të kryhen edhe pa paralajmërim.

Vendimi sigurisht përcakton edhe të drejtat dhe detyrimet e subjekteve gjatë procesit të kontrollit dhe inspektimit nga Agjencia, përfshirë të drejtën për të paraqitur ankim dhe për të kërkuar mbrojtjen e të dhënave tregtare të subjekteve.

Sekuestrimi i përkohshëm i materialit për të cilin ka dyshime kryhet nga Agjencia, ndërsa konfiskimi realizohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Asgjësimi kryhet vetëm nga subjekte të autorizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nën mbikëqyrjen e Agjencisë.

Licencat do t’i nënshtrohen rivlerësimit të paktën një herë në tre vjet.

Gjurmueshmëria e materialit do të shtrihet nga importi dhe kultivimi, përpunimi, ruajtja dhe transporti, deri te eksporti ose asgjësimi. Çdo lot, material apo produkt do të identifikohet dhe regjistrohet, ndërsa çdo ndryshim statusi do të pasqyrohet në Regjistër dhe në Sistem.

Kontrolli i cilësisë do të mbështetet në marrjen dhe analizimin e mostrave dhe në përcaktimin e masave sipas rezultateve të testimit, veçanërisht kur vlera e matur e THC-së në bimën, produktet dhe nënproduktet e Cannabis-it industrial tejkalon kufirin maksimal të lejuar prej 0.8%, sipas ligjit nr. 61/2023

Përgjatë veprimtarisë përcaktohen gjithashtu masa për sigurinë fizike dhe kontrollin e transportit, me synim ruajtjen e integritetit, sigurisë dhe gjurmueshmërisë së materialit. Në këtë kuadër, Agjencia do të bashkëpunojë me autoritetet përgjegjëse, me synim garantimin e një mbikëqyrjeje sa më efikase.

Vendimi i miratuar synon të garantojë një sistem të sigurt, të kontrolluar, transparent dhe plotësisht të gjurmueshëm, duke mundësuar mbikëqyrje efektive dhe ndërhyrje në kohë në çdo fazë të aktivitetit.