Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (Agjencia) zhvilloi një takim institucional me përfaqësuesit e projektit EU4LawEnforcement, të kryesuar nga Koordinatori Ndërkombëtar i projektit, z. Giovanni Pasqua, i shoqëruar nga Eksperti për Prokurorinë, z. Carmine Pirozzoli. Agjencia u përfaqësua nga Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Anila Alliu.
Takimi u zhvillua në kuadër të njohjes së ndërsjellë institucionale dhe shkëmbimit të informacionit mbi fushat e veprimtarisë së Agjencisë, me synim identifikimin e mundësive të bashkëpunimit në mbështetje të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjes së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.
Gjatë takimit, znj. Alliu prezantoi zhvillimet kryesore të Agjencisë, kuadrin rregullator të ngritur në zbatim të Ligjit nr. 61/2023, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe gjurmueshmërisë të krijuar për garantimin e integritetit të sistemit dhe parandalimin e devijimit të veprimtarive të licencuara drejt përdorimeve të paligjshme.
Përfaqësuesit e projektit EU4LawEnforcement në vijim prezantuan objektivat dhe komponentët kryesorë të projektit, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mundësitë për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ngritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e ekspertizës dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi konstruktiv dhe shënoi një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së një dialogu të qëndrueshëm institucional, me synim mbështetjen e mëtejshme të forcimit të sundimit të ligjit, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe avancimit të standardeve evropiane në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjes së cannabis-it.
