Anila Alliu

Drejtor i Përgjithshëm

Juriste me përvojë të konsoliduar në administratën publike, institucionet kushtetuese dhe misione ndërkombëtare, me ekspertizë në ndërtimin institucional, hartimin e politikave publike, zhvillimin e kuadrit rregullator dhe menaxhimin e proceseve komplekse.

BIOGRAFIA

Një rrugëtim në shërbim të institucioneve

Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, Znj. Alliu drejton zhvillimin dhe konsolidimin e kuadrit institucional dhe rregullator për kontrollin e veprimtarive që lidhen me cannabis-in për qëllime mjekësore dhe industriale në Republikën e Shqipërisë. Në këtë funksion, ajo udhëheq hartimin dhe zbatimin e akteve nënligjore, zhvillimin e mekanizmave të licencimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit, ngritjen e sistemeve kombëtare të regjistrimit dhe gjurmueshmërisë, si dhe koordinimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Veprimtaria e saj është përqendruar në ndërtimin e një sistemi rregullator transparent, funksional dhe të harmonizuar me legjislacionin shqiptar, acquis të Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira rregullatore.

Gjatë periudhës 2017–2023, ajo ka shërbyer si Këshilltare pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (IMO/ONM), mision i Bashkimit Evropian dhe partnerëve euro-atlantikë, i ngritur në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting). Në këtë rol, ajo ka ofruar ekspertizë juridike dhe analitike në shqyrtimin e çështjeve komplekse që lidhen me vlerësimin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit.

Më pas, ajo ka ushtruar funksionin e Këshilltares së Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku ka kontribuar në hartimin dhe koordinimin e politikave publike, zhvillimin e reformave rregullatore dhe procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire. Gjithashtu, ka shërbyer si Këshilltare e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me përgjegjësi për koordinimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësimin institucional të Gjykatës në kuadër të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC).

Një pjesë e rëndësishme e përvojës së saj profesionale lidhet me angazhimin në Republikën e Kosovës gjatë periudhës 2012–2017, në fushën e privatizimit, likuidimit të ndërmarrjeve dhe administrimit të çështjeve të së drejtës së pronës. Karrierën profesionale e ka nisur në praktikën ligjore private si avokate dhe juriste, me fokus në të drejtën tregtare dhe korporative, prokurimet publike dhe transaksionet komplekse të biznesit, përfshirë bashkimet dhe blerjet e shoqërive tregtare (M&A).

Znj. Alliu është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Luarasi” me rezultate të shkëlqyera akademike. Ajo është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe zotëron në mënyrë të rrjedhshme gjuhën shqipe, angleze dhe italiane.

PËRVOJA PERSONALE

Etapa kyçe
karrierës

Aktualisht

Drejtor i Përgjithshëm

Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it

2017 — 2023

Këshilltare

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (IMO/ONM)

2015 — 2017

Këshilltare e Ministrit

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

2013 — 2015

Këshilltare e Presidentit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë

2012 — 2017

Ekspertizë ligjore & administrative

Republika e Kosovës privatizim dhe të drejta pronësore

Fillimi i karrierës

Avokate & Juriste

Praktikë private të drejtë tregtare, korporative, M&A

NJË KRONOLOGJI E VAZHDUESHME