— PROCESI I PAJISJEVE ME LEJE
Leja për aktivitetet e cannabis-it industrial
Leja mundëson ushtrimin e kontrolluar të aktiviteteve të lidhura me prodhimin e cannabis-it për qëllime industriale, në përputhje me Ligjin nr. 61/2023 dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
Aktivitetet që mund të përfshihen në leje
01
Importi i farës ose fidanit
Importimi i farës ose fidanit të varieteteve të lejuara të cannabis-it për qëllime industriale, pas pajisjes me autorizimet përkatëse nga autoriteti kompetent për farërat dhe fidanet.
02
Riprodhimi i farës ose fidanit
Riprodhimi i farës ose fidanit për përdorim si material mbjellës, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e zbatueshme.
03
Kultivimi
Kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime industriale në sipërfaqet dhe vendndodhjet e përcaktuara në leje.
04
Prodhimi dhe përpunimi
Prodhimi dhe përpunimi i bimës së cannabis-it industrial dhe i lëndës së parë të përfituar prej saj, sipas aktiviteteve të miratuara në leje.
05
Transporti
Transportimi i bimës, lëndës së parë, nënprodukteve dhe produkteve të cannabis-it industrial, duke respektuar kërkesat për sigurinë, dokumentimin, shënjimin dhe gjurmueshmërinë.
06
Eksporti
Eksportimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të cannabis-it për qëllime industriale, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe kërkesat e shtetit importues.
Kushtet dhe kriteret e lejes.
Kërkesat që duhet të përmbushen për pajisjen dhe mbajtjen e lejes.
01
Afati i lejes
Leja jepet për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rinovimi, sipas kushteve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi.
02
Sipërfaqja minimale
Leja jepet për sipërfaqe kultivimi jo më të vogla se 1 hektar.
03
Varietetet e lejuara
Kultivimi lejohet vetëm për varietetet e cannabis-it industrial të njohura dhe të regjistruara. Bima duhet të përmbajë jo më shumë se kufiri ligjor i THC-së.
04
Njësia e prodhimit
Aktiviteti zhvillohet vetëm në njësitë dhe mjediset e përcaktuara në leje, me akses të kufizuar dhe të monitoruar.
05
Patransferueshmëria
Aktivitetet e përfshira në leje nuk mund t’u transferohen personave të tretë, me përjashtim të rasteve të lejuara shprehimisht.
06
Gjurmueshmëria
Subjekti duhet të zbatojë kërkesat për sigurinë fizike, shënjimin, gjurmimin dhe regjistrimin e të gjitha fazave të aktivitetit.
07
Pastërtia e figurës
Personat e përfshirë i nënshtrohen procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës, sipas Ligjit nr. 61/2023 dhe akteve nënligjore.
Hapat kryesorë të procesit
Paraqitja e kërkesës
Subjekti paraqet kërkesën për pajisjen me leje pranë ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, së bashku me dokumentacionin e kërkuar.
Verifikimi i dokumentacionit
Struktura përgjegjëse verifikon plotësinë dhe rregullsinë e dokumentacionit, si dhe përmbushjen e kushteve ligjore.
Vlerësimi i sigurisë
Një kopje e praktikës i përcillet ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për vlerësimin e miratimit ose refuzimit.
Raporti dhe propozimi
Pas marrjes së vlerësimit, struktura përgjegjëse përgatit raportin dhe propozimin për ministrin përgjegjës për bujqësinë.
Miratimi i lejes
Leja miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për bujqësinë. Subjekti konsiderohet mbajtës i lejes nga data e nxjerrjes së urdhrit.
Autoritetet dhe roli i Agjencisë
Paraqitet pranë
Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Kërkesa për pajisjen me leje dhe dokumentacioni shoqërues paraqiten pranë strukturës përgjegjëse në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë.
Miratohet nga
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Leja miratohet me urdhër të ministrit, pas përfundimit të procedurës së shqyrtimit dhe verifikimit.
Roli i Agjencisë
Regjistrim, monitorim, kontroll
Agjencia regjistron subjektet, administron të dhënat, monitoron kushtet e lejes, kryen inspektime dhe sanksionon kundërvajtjet administrative.
Çfarë duhet të përmbajë dosja ?
Dokumentacioni duhet të paraqitet i plotë dhe në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
- Dokumenti i regjistrimit të fermerit, personit fizik ose juridik.
- Dokumentacioni që provon angazhimin e të paktën një agronomi.
- Vërtetimi i gjykatës që provon se personat përkatës nuk janë në gjykim për vepër penale.
- Deklarata e miratimit për kryerjen e kontrollit të pastërtisë së figurës.
- Vetëdeklarimi për mungesën e detyrimeve tatimore.
- Marrëveshja paraprake e shitjes me subjektin që do të blejë lëndën e parë.
- Kopja e kartelës së pasurisë dhe harta treguese e regjistrimit.
- Dokumentacioni për vendndodhjen e tokës në zonat kadastrale të miratuara.
- Lista e personelit të punësuar ose të nënkontraktuar për drejtimin e procesit të kultivimit.
- Vërtetimi i prokurorisë që provon se personat përkatës nuk janë në ndjekje penale.
- Certifikata e gjendjes gjyqësore.
- Vetëdeklarimi për burimin e financimit të shpenzimeve.
- Vetëdeklarimi për lidhjen e marrëveshjes paraprake për ruajtjen dhe sigurinë fizike.
- Dokumentacioni i pronësisë ose kontrata e qirasë për tokën.
- Planrilevimi, në rastet e parashikuara nga ligji.
- Vetëdeklarimi për pagesën e tarifave të sistemit të shënjimit dhe gjurmimit.
Detyrimet gjatë aktivitetit
- Të ushtrojë vetëm aktivitetet e përcaktuara në leje.
- Të respektojë sipërfaqet, vendndodhjet dhe kushtet e miratuara.
- Të përdorë vetëm fara dhe fidane të lejuar dhe të regjistruar.
- Të sigurojë shënjimin dhe gjurmueshmërinë e aktivitetit.
- Të paguajë tarifat e sistemit të shënjimit dhe gjurmimit.
- Të ruajë dokumentacionin dhe regjistrat e aktivitetit.
- Të lejojë kontrollin, inspektimin dhe marrjen e mostrave.
- Të zbatojë masat e sigurisë fizike dhe të monitorimit.
- Të deklarojë sasitë e mbjella, prodhuara, përpunuara dhe eksportuara.
- Të njoftojë ndryshimet që prekin kushtet ose të dhënat e lejes.
- Të zbatojë masat korrigjuese dhe administrative.
Rastet e cenimit të lejes
- Ushtrimi i aktivitetit në kundërshtim me kriteret e Ligjit nr. 61/2023.
- Ushtrimi i aktivitetit në kundërshtim me kushtet e lejes.
- Mospagesa e tarifave për sistemin e shënjimit dhe gjurmimit.
- Shkelja e dispozitave ligjore që lidhen me aktivitetin e lejuar.