Drejtoresha e Përgjithshme e AKKC, znj. Linda Pustina dhe një delegacion nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) së bashku me anëtarë të Komisionit të Licencave, nga data 2 deri më 6 dhjetor 2024, zhvilluan një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përfituar nga praktikat më të mira globale në industrinë e cannabis-it.
Gjatë vizitës, delegacioni mori pjesë në takimin vjetor të Shoqatës së Rregullatorëve të Cannabis-it, ku u zhvilluan diskutime mbi kuadrin ligjor dhe praktikat më të mira të rregullimit të industrisë së cannabis-it të aplikuara në 45 shtete të SHBA-së, si dhe në Kanada, Maltë e Hollandë.
Delegacioni gjithashtu mori pjesë në Edicionin e 13-të të Panairit Ndërkombëtar të Cannabis-it, një qendër globale e inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ku u prezantuan teknologjitë më të fundit për kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it, me fokus praktikat miqësore për mjedisin.
Përgjatë kësaj vizite, znj. Pustina zhvilloi një sërë takimesh bilaterale, ndër të tjera, me përfaqësues të FDA-së, me Anëtarët e Bordit Drejtues të CANNRA, me drejtuesin e Departamentit të Kontrollit të Cannabis-it të Kalifornisë, me drejtuesit e departamenteve kryesore të Health Canada, me përfaqësues të Laboratorit Referues të Departamentit të Bujqësisë së Oregonit, si dhe me drejtuesin e Zyrës së Shtetit të Nju Jorkut për Menaxhimin e Cannabis-it.
Këto takime ishin një mundësi e rëndësishme për të ndërtuar lidhje dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me aktorët kryesorë të industrisë së cannabis-it në SHBA dhe Evropë duke mundësuar përfitimin e njohurive dhe praktikave më të mira për zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovativ të kësaj industrie premtuese në Shqipëri.