Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi me synimin kryesor të garantimit të integritetit në sektorin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale. Kjo marrëveshje vendos mekanizmat për shkëmbimin e informacionit ndërmjet dy institucioneve, duke siguruar zbatimin korrekt të ligjit nr. 61/2023 dhe parandalimin e çdo shkeljeje ligjore.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKKC-së, Prof. As. Linda Pustina, dhe Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila përqendrohet në disa fusha kyçe bashkëpunimi, me theks të veçantë në verifikimin e pastërtisë së figurës për punonjësit e AKKC-së dhe subjektet e licencuara/lejuara. Prokuroria angazhohet të ofrojë informacion për kandidatët dhe punonjësit e AKKC-së, si dhe për aksionarët, administratorët dhe punonjësit e subjekteve të licencuara dhe lejuara që përfshihen në procesin e verifikimit.
Marrëveshja përfshin gjithashtu dhe
monitorimin dhe inspektimin e subjekteve të licencuara për të garantuar përputhshmërinë me ligjin dhe parandalimin e përdorimit të paligjshëm të cannabis-it, hetimin dhe ndjekjen penale të çdo shkeljeje të ligjit që lidhet me kultivimin, përpunimin apo shpërndarjen e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, si dhe trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, për të siguruar një kuadër më të fortë ligjor dhe administrativ për rregullimin e këtij sektori.
Për zbatimin efektiv të kësaj marrëveshjeje, AKKC dhe Prokuroria do të krijojnë një Grup Koordinues të Përbashkët, i cili do të organizojë takime periodike për të shqyrtuar progresin dhe për të adresuar sfidat e mundshme në implementimin e angazhimeve të përbashkëta.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm për garantimin e një sistemi më të fortë mbikëqyrjeje dhe kontrolli, duke siguruar që sektori i cannabis-it mjekësor dhe industrial të funksionojë brenda kuadrit ligjor dhe të mbrohet nga çdo rrezik i keqpërdorimit ose veprimtarisë kriminale.