Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe Komisioni i Licencimit zhvillojnë vizitë studimore në Gjermani

Në kuadër të forcimit të kapaciteteve dhe zhvillimit të një kuadri rregullator në përputhje me standardet evropiane, një delegacion i Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) kryesuar nga znj. Linda Pustina dhe anëtarë të Komisionit të Licencimit, më datat 9-12 shtator 2024, realizuan një vizitë studimore në Gjermani me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar- GIZ Albania. Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me institucione homologe dhe aktorë kryesorë në industrinë e cannabis-it si:

  • Partneriteti Global për Politikat dhe Zhvillimin e Drogës
  • Zyra Federale e Komisionerit për Drogën dhe Varësinë
  • Agjencia Gjermane e Cannabis-it
  • Agjencia Federale e Opiumit
  • Ekspertë të industrisë

Gjithashtu u zhvilluan vizita dhe vëzhgime në terren në Laboratorin shkencor të Universitetit të Merseburgut dhe qendrën e përpunimit Hanffaser Geiseltal.

Fokusi i takimeve ishte prezantimi dhe njohja me:

  • Kuadrin rregullator për cannabis-in mjekësor dhe industrial në Gjermani
  • Standardet GMP & GACP e aplikuara në këtë vend
  • Proceset e licencimit, sigurisë & mbikëqyrjes
  • Teknologjitë dhe standardet e aplikuara në kultivimin dhe prodhimin e cannabis-it
  • Përdorimin industrial të cannabis-it dhe ndikimin e tij në zhvillimin ekonomik të zonave rurale

Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm në krijimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe përfitimin e njohurive të nevojshme për integrimin e standardeve më të mira për zhvillimin e kësaj industrie premtuese në Shqipëri.