Vizitë në Curaleaf International, kompani ndërkombëtare për kultivimin e cannabis-it mjekësor në Portugali

Në kuadër të shkëmbimit të përvojave dhe njohjes me praktikat më të mira evropiane në kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it mjekësor, AKKC, së bashku me përfaqësues nga institucionet shqiptare të përfshira në zbatimin e Ligjit nr. 61/2023, realizoi një vizitë në terren pranë Curaleaf Portugal Lda, një nga operatorët kryesorë të licencuar në Portugali.

Delegacioni u prit nga menaxheri i përgjithshëm i këtij filiali, z. Nuno Mendonça, si dhe nga drejtues të tjerë të lartë të kompanisë, të cilët prezantuan protokollet e sigurisë, masat për mbrojtjen e objektit dhe sistemin e monitorimit në çdo fazë të prodhimit.

Pjesëmarrësit ndoqën në praktikë të gjitha fazat e ciklit të kultivimit, duke vëzhguar zbatimin e praktikave GACP në sera, proceset pas kultivimit, si dhe procedurat strikte të kontrollit të cilësisë së produkteve.

Kjo vizitë, e mundësuar me mbështetjen e TAIEX, ofroi një pasqyrë të qartë mbi zbatimin e standardeve më të avancuara evropiane në fushën e kultivimit dhe përpunimit të cannabis-it mjekësor, duke fuqizuar njohuritë teknike dhe institucionale të këtij sektori.