Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) dhe Policia e Shtetit nënshkruan sot, më 25 mars 2025, një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes, kontrollit dhe sigurisë në fushën e kultivimit, përpunimit dhe prodhimit të nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale në Shqipëri, me qëllim garantimin e një industrie të sigurt dhe të qëndrueshme.

Ky bashkëpunim synon zbatimin rigoroz të ligjit nr. 61/2023, duke ndërtuar një sistem mbikëqyrjeje të mirëkoordinuar, ku palët angazhohen të bashkërendojnë veprimet në inspektim dhe monitorim, për të siguruar që subjektet e licencuara e të lejuara, veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore dhe zbatojnë standardet më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një element i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është krijimi i një strukture të integruar për shkëmbimin e informacionit, identifikimin e risqeve dhe ndërhyrjen e shpejtë në rastet e shkeljeve, si dhe sigurimi i një bashkëpunimi efikas për një proces të sigurt të verifikimit të pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë dhe të subjekteve të licencuara apo të lejuara.
AKKC mbetet e përkushtuar të kontribuojë në krijimin e një sistemi të fortë mbikëqyrjeje dhe kontrolli, duke siguruar që sektori i cannabis-it mjekësor dhe industrial të funksionojë brenda kuadrit ligjor dhe të mbrohet nga çdo rrezik i përdorimit të paligjshëm.