Kompetencat e Agjencisë
- Agjencia ushtron kompetencat e saj në bazë të parimeve të ligjshmërisë, profesionalizmit, përgjegjësisë, llogaridhënies, efikasitetit dhe transparencës, dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.
- Agjencia, në ushtrimin e veprimtarisë së saj në nivel administrativ, ka këto kompetenca:
- organizon procedurat për dhënien e licencës
- mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve të licencuara dhe të lejuara
- harton standardet për zonat dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë;
- harton çdo 3 vjet raportin, në lidhje me përmbushjen e kushteve të dhënies së licencave dhe lejeve, dhe rekomandon, sipas rastit, plotësimin e kushteve apo pezullimin ose shfuqizimin e licencave e të lejeve;
- bashkëpunon me organet e tjera kompetente, me qëllim realizimin e objektivave dhe detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare ku është palë Republika e Shqipërisë;
- paraqet raporte përpara organizatave kompetente ndërkombëtare për importin dhe eksportin e bimës së cannabis-it dhe të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të saj, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare për kontrollin e lëndëve narkotike dhe psikotrope;
- bashkëpunon në vazhdimësi me Qendrën Evropiane për Monitorimin e Drogërave dhe Varësisë ndaj tyre dhe Bordin Ndërkombëtar për Kontrollin e Narkotikëve;
- kryen verifikimin e pastërtisë së figurës së çdo punonjësi të Agjencisë dhe të subjekteve të licencuara apo të lejuara në bashkëpunim me autoritetet apo institucionet përgjegjëse që mbajnë apo administrojnë të dhënat për këtë qëllim.
- bashkëpunon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe strukturat shtetërore për ruajtjen e pastërtisë së figurës së punonjësve të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe parandalimin e veprave penale;
- mban dhe administron regjistra, bazën e të dhënave dhe statistika në nivel kombëtar sipas parashikimeve të këtij ligji;
- lëshon autorizimin e eksportit për cannabis-in industrial dhe produktet e cannabis-it për qëllime industriale;
- harton rregullore, udhëzime dhe metodologji për unifikimin e proceseve dhe standardeve të punës së punonjësve të Agjencisë dhe ia propozon për miratim ministrit përgjegjës për shëndetësinë;
- i propozon ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe ministrit përgjegjës për mjedisin zonat kadastrale ku do të kultivohet cannabis-i për qëllime industriale;
- jep masat administrative me gjobë dhe ndalim të ushtrimit të veprimtarisë ndaj subjekteve të licencuara dhe subjekteve të lejuara, sipas këtij ligji;
- vlerëson kërkesat për shitjen e aksioneve të ortakëve të subjekteve mbajtëse të licencës apo lejes dhe ia propozon për miratim, pas miratimit të Komisionit të Licencave, ministrit përgjegjës për shëndetësinë për licencat dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë për lejet.
- Agjencia, në ushtrimin e veprimtarisë së saj, në nivel teknik, ka këto kompetenca:
- mbikëqyr përdorimin dhe mbjelljen nga subjektet e licencuara të farërave dhe fidanëve të importuar apo të prodhuar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor, si dhe të regjistruar në katalogun kombëtar;
- harton standardet për çdo fazë të procesit të lidhur me kultivimin e bimës së cannabis-it, të cilat miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për bujqësinë.
- bashkërendon punën me autoritetet përgjegjëse shtetërore për kryerjen e regjistrimit dhe përfshirjen e menjëhershme në katalogun kombëtar të farërave dhe fidanëve, që janë të shoqëruara me testimin dallueshmëri-uniformitet-stabilitet (DUS);
- mbikëqyr dhe monitoron mbjelljen dhe kultivimin e bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj, që përdoren për qëllime mjekësore dhe industriale dhe, nëse konstaton që subjekti ka mbjellë ose ka kultivuar sasi të ndryshme nga ato të parashikuara në leje ose licencë, vendos asgjësimin e tyre dhe propozon sanksionet përkatëse;
- kontrollon dhe inspekton të gjitha proceset e kultivimit të bimës së cannabis-it në çdo fazë të mbjelljes, korrjes, tharjes, ruajtjes dhe magazinimit, prodhimit të lëndës së parë bimore;
- kontrollon dhe inspekton, në bazë të licencës, ambientet dhe selitë ku bëhet përpunimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore;
- merr masa për sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve të cannabis-it apo nënprodukteve të tij, sipas parashikimeve të këtij ligji;
- bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për doganat për të monitoruar regjimin e importit të farërave e të fidanëve, si dhe regjimin e eksportit të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të cannabis-it mjekësor dhe industrial;
- kryen çdo veprimtari tjetër të parashikuar nga ligje të tjera apo aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji