Nëpërmjet një marrëveshjeje të rëndësishme të firmosur nga Drejtoresha e Përgjithshme, Prof. Ass. Linda Pustina, dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Prof. Dr. Xheladin Draçini, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it (AKKC) vazhdon të zgjerojë partneritetet me institucione kyçe që ndikojnë në zhvillimin e politikave dhe praktikave të shëndetit publik në Shqipëri.
Ky bashkëpunim është një tregues i rëndësishëm drejt avancimit të kërkimeve shkencore, zhvillimit të kapaciteteve dhe promovimit të inovacionit në fushën e kontrollit, kultivimit, përpunimit dhe prodhimit të produkteve dhe nënprodukteve të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale.
AKKC është e përkushtuar të mbështesë Universitetin e Mjekësisë së Tiranës duke ofruar informacion të vlefshëm mbi praktikat dhe teknikat moderne të kontrollit dhe përpunimit të cannabis-it si dhe njohuritë mbi teknologjitë më të avancuara për kultivimin dhe prodhimin e produkteve të cannabis-it. Kjo do të kontribuojë në zhvillimin e programeve edukative dhe trajnimeve profesionale për institucionet palë të kësaj marrëveshjeje por edhe për institucionet e tjera që operojnë në këtë sektor, duke i pajisur ata me njohuri të thelluara dhe aftësi të avancuara në këtë fushë. Mbështetja do të përfshijë gjithashtu garantimin e standardeve më të larta për sigurimin e cilësisë, bashkëpunim për krijimin e laboratorëve të certifikuar si dhe nxitjen e aplikimit të metodave inovative për kultivimin, mbrojtjen dhe monitorimin e bimëve.
Të dyja palët angazhohen të bashkëpunojnë përmes projekteve të përbashkëta kërkimore në fushën e shëndetit publik, të cilat do të synojnë realizimin e studimeve mbi efektet terapeutike të produkteve dhe nënprodukteve të cannabis-it apo ndikimet në shëndetin publik lidhur me kultivimin dhe përdorimin e bimës së cannabis-it, produkteve e nënprodukteve të tij.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve publike dhe akademike, si dhe në angazhimin e aktorëve të tjerë në kuadër të helikës së katërfishtë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe pozicionimin e Shqipërisë si një shembull për menaxhimin dhe rregullimin e kësaj industrie në rajon.
Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës
Më 14 janar 2025, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), Prof. Ass. Linda...