Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë datë 05.12.2024, ora 16.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Rruga “Ibrahim Rugova”, Pallati Sky Tower, kati 13, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator në Drejtorinë e Mbikëqyrjes, Kontrollit dhe Inspektimit të Kultivimit, Prodhimit dhe Qarkullimit të Cannabis-it Industrial, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
● Mbikëqyr, kontrollon dhe inspekton veprimtarinë e subjekteve të lejuara sipas ligjit dhe rregullave të miratuara në bazë të tij dhe, kur është nevoja, koordinon procesin në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për bujqësinë dhe institucione të tjera.
● Mbikëqyr aktivitetin e lejuar në çdo fazë dhe për çdo cikël prodhimi për të siguruar që aktiviteti:
a) kryhet në përputhje me parashikimet ligjore dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatimin e tyre, me përcaktimet e bëra në leje, si dhe me përcaktimet në planin e miratuar të prodhimit;
b) nuk kryhet në kundërshtim me qëllimet e ligjit dhe me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë;
● Në bashkëpunim me strukturat e ministrisë përgjegjëse për bujqësinë hartojnë raportin mbi tokat që plotësojnë standardet për kultivimin e cannabis-it për qëllime industriale, i cili i paraqitet ministrit përgjegjës për bujqësinë nga Agjencia.
● Monitoron procesin për të garantuar kultivimin vetëm të farërave dhe fidanëve të regjistruar në institucionin përgjegjës për regjistrimin e farërave dhe fidanëve, si dhe importin vetëm nga subjektet e pajisura me licencë dhe autorizim importi , si dhe monitoron procesin e importimit të farërave dhe fidanëve që janë varietete të kultivimit të cannabis-it për qëllim industrial, të përfshira në Katalogun e Përbashkët Evropian të Varieteteve të Bimëve në Agrokulturë, si dhe procesin e riprodhimit të tyre.
● Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për doganat për të monitoruar regjimin e importit të farërave e të fidanëve, si dhe regjimin e eksportit të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të cannabis-it industrial.
● Mbikëqyr dhe garanton sipas përcaktimeve të ligjit që të gjithë zotëruesit e një leje, të shënjojnë bimën, farën, substancën, preparatin, produktin, që është objekt i veprimtarisë së tij, dhe të zbatojnë të gjithë legjislacionin lidhur me shënjimin dhe gjurmimin.
● Kontrollon dhe inspekton, në bazë të lejes, ambientet dhe selitë ku bëhet përpunimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të cannabis-it për qëllime industriale .
● Koordinon proceset e punës në bashkëpunim me punonjësit e drejtorisë përgjegjëse të licencimit, si dhe njësisë përgjegjëse për lejet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë, për realizimin e objektivave.
● Kontrollon dhe inspekton të gjitha proceset e kultivimit të bimës së cannabis-it për qëllime industriale në çdo fazë të mbjelljes, korrjes, tharjes, ruajtjes dhe magazinimit, prodhimit të lëndës së parë bimore.
● Monitoron sipas njoftimit të subjektit procesin e: i) mbjelljes së farës; ii) vjeljes së bimës së cannabis-it; iii) tharjes, pastrimit dhe ndarjes duke identifikuar sasinë e prodhuar, si dhe verifikon nëse është kryer procesi i shenjimit të materialit të prodhuar nga bima e cannabis -it.
● Koordinon procesin për kryerjen e kontrollit e cilësisë në laboratorë të certifikuar dhe të akredituar, sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit, përpara se materiali i thatë të paketohet.
● Mbikëqyr dhe monitoron mbjelljen dhe kultivimin e bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj, që përdoren për qëllime industriale dhe, nëse konstaton që subjekti ka mbjellë ose ka kultivuar sasi të ndryshme nga ato të parashikuara në leje, vendos asgjësimin e tyre dhe propozon sanksionet përkatëse.
● Gjatë kontrollit, inspektimit dhe monitorimit sipas parashikimeve të ligjit, shkëmben informacion me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Prokurorinë e Posaçme/Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit, si dhe autoritetet e tjera kompetente.
● Bashkëpunon dhe shkëmben informacion me Policinë e Shtetit dhe institucione të tjera kombëtare apo ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e luftës ndaj përdorimit, trafikut të narkotikëve dhe substancave psikotrope, dhe ndaj pastrimit të të ardhurave prej aktivitetit të paligjshëm.
● Merr masa për sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve të cannabis-it apo nënprodukteve të tij, sipas parashikimeve në ligj dhe kryen mbikëqyrjen gjatë procesit të asgjësimit të bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj apo produkteve përfundimtare në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike.
● Konstaton dhe sanksiononkundravajtjet administrative dhe propozon masat administrative me gjobë, ndalim të ushtrimit të veprimtarisë, pezullim dhe shfuqizim të licencës ndaj subjekteve të lejuara, sipas ligjit dhe, në kushtet e konstatimit të shkeljeve të Kodit Penal, raporton, në zbatim të parashikimeve të Kodit Penal, pranë autoriteteve përkatëse sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.
● I rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm zgjidhje alternative të mundshme brenda kuadrit ligjor dhe teknik për problematikat e ndeshura, apo rasteve konkrete të paraqitura për zgjidhje.
● Kontribuon në regjistrimin në regjistër të llojit dhe sasisë së bimës së cannabis-it të konfiskuar.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtorisë.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paketës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave inxhinierike/shkenca mjedisore/shkencat e tokës/shkenca bujqësore/shkencave kimike/biologjike/kimi industriale/kimi farmaceutike/farmaci/shkenca ekzakte/shkenca juridike/shkenca ekonomike, si dhe certifikata trajnime në lidhje me detyrat kryesore.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
– administratë publike;
– procese pune që lidhen me inspektimin;
– zbatim i ligjit/sigurisë;
– hartimi i projekteve dhe ndjekja e zbatimit të tyre;
– procese pune që lidhen me hartimin e akteve administrative.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
d) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
e) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës me gojë lidhur me aftësitë dhe kompetencën për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
1. Kërkesë për aplikim;
2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.