Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë datë 21.11.2024, ora 16.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Rruga “Ibrahim Rugova”, Pallati Sky Tower, kati 13, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator pranë Drejtorit të Përgjithshëm, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
· Siguron përgatitjen informacioneve dhe publikimin e tyre me qëllim promovimin e rolit të agjencisë, ndalimet e përgjithshme të parashikuara nga legjislacioni në fuqi si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj përdorimit, trafikut të narkotikëve dhe substancave psikotrope.
· Koordinon aktivitetet e Agjencisë me institucionet e tjera kombëtare/ndërkombëtare me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi, me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe strukturat shtetërore si dhe me ministritë përgjegjëse dhe siguron organizimin dhe menaxhimin e eventeve/konferencave.
· Koordinon punën për hartimin e strategjive të marrëdhënieve me publikun.
· Ndërmerr nisma për edukim dhe ndërgjegjësim publik në lidhje me rreziqet e përdorimit të paligjshëm të cannabis-it dhe masat ligjore që janë në fuqi.
· Shërben si pikë kontakti për marrëdhëniet me mediat, institucionet e tjera dhe publikun.
· Koordinon punën për hartimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dy ose shumëpalëshe me palë të treta dhe ndjek ecurinë e zbatimit të tyre.
· Formulon rekomandime për Drejtorin e Përgjithshëm pas analizimit dhe vlerësimit të aspekteve kryesore të veprimtarisë së Agjencisë.
· Koordinon punën lidhur me proceset e identifikimit dhe inicimit të projekteve, vlerësimin e fizibilitetit dhe përfitueshmërisë së tyre.
· Koordinon ndjekjen e praktikave ligjore për tërheqjen e financimeve të huaja dhe propozon përmirësime sipas rastit.
· Siguron koordinimin e procesit të inovacionit në Agjenci, duke kryer vëzhgime të cilësisë dhe duke rekomanduar ndryshimet e duhura.
· Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paketës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkenca sociale/ marrëdhënie ndërkombëtare/ gazetari/ shkenca ekonomike/ shkenca juridike, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me detyrat kryesore. Diploma e nivelit Bachelor preferohet të jetë në të njëjtën fushë me Diplomën e nivelit Master Shkencor.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
– administratë publike;
– bashkëpunim me organizata kombëtare/ndërkombëtare;
– promovim dhe informim i publikut;
– zbatim i ligjit/sigurisë;
– hartimi i projekteve dhe ndjekja e zbatimit të tyre.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
d) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
e) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës me gojë lidhur me aftësitë dhe kompetencën për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
1. Kërkesë për aplikim;
2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.