Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë datë 11.11.2024, ora 16.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Pallati Sky Tower, kati 13, Tiranë, Shqipëri.
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator (Jurist) në Sektorin e Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
● Është përgjegjës për zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi nga Agjencia.
● Organizon dhe koordinon procedurat e konkurrimit për përzgjedhjen e subjekteve dhe dhënien e licencës sipas rregullave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi.
● Koordinon dhe kontribuon në përgatitjen e procedurave dhe dokumentacionit në kuadër të procesit të licencimit të subjekteve, nga shpallja e njoftimit, vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe kritereve të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe propozimit që i përcillet nga Agjencia ministrit përgjegjës për shëndetësinë, dhe siguron që ato të kryhen konform përcaktimeve në kuadrin ligjor në fuqi.
● Shqyrton rregulloret e veprimtarisë së subjekteve të licencuara dhe përgatit propozimin për Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për miratimin/refuzimin e tyre.
● Shqyrton aspektet ligjore në lidhje me kërkesat për miratimin e ndryshimeve të kërkuara nga mbajtësi i licencës, dhe koordinon përgatitjen e praktikës me rekomandime mbi masa konkrete për vendimmarrje që do t’i përcillet nga Agjencia ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
● Asiston Komisionit të Licencave në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.
● Koordinon dhe kontribuon në përgatitjen e praktikës për lëshimin e lejeve të eksportit.
● Vlerëson kërkesat për shitjen e aksioneve të ortakëve të subjekteve mbajtëse të licencës apo lejes me qëllim propozimin për miratim, pas miratimit të Komisionit të Licencave, ministrit përgjegjës për shëndetësinë për licencat dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë për lejet.
● Koordinon dhe kontribuon në përgatitjen e rregulloreve, udhëzimeve dhe metodologjive për unifikimin e proceseve dhe standardeve të punës së punonjësve të Agjencisë që do t’i propozohen për miratim ministrit përgjegjës për shëndetësinë nga Agjencia.
● Koordinon procesin e hartimit të raportit në lidhje me përmbushjen e kushteve të dhënies së licencave dhe lejeve, çdo 3 vjet, si dhe periodikisht mbi bazë kërkese, duke bashkëpunuar më drejtoritë përkatëse të monitorimit. Gjithashtu raporton sipas rastit plotësimin e kushteve apo pezullimin ose shfuqizimin e licencave dhe lejeve.
● Kontribuon në përgatitjen e marrëveshjeve dhe akteve nënligjore në zbatim të ligjit 61/2023, si dhe propozon ndryshime në kuadrin ligjor në fuqi.
● Asiston drejtoritë e tjera të Agjencisë për aspekte ligjore të praktikave të tyre.
● Përgatit, vlerëson dhe garanton që praktikat që kryhen në kuadër të proceseve të prokurimit të jenë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paketës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave juridike si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve dhe detyrat kryesore. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
– administratë publike;
– koordinim ndërinstitucional;
– zbatim i ligjit;
– procese pune që lidhen me hartimin e akteve ligjore/nënligjore.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
4. Të jetë i pajisur me Certifikatë të Sigurisë së Personelit të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të nivelit “Sekret” ose të plotësojë kushtet për tu pajisur me CSP për nivelin e kërkuar.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
d) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
e) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës me gojë lidhur me aftësitë dhe kompetencën për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
1. Kërkesë për aplikim;
2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.