Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë datë 18.10.2024, ora 14.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Pallati Sky Tower, kati 13, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator në Sektorin e Standardeve, Statistikave dhe Inovacionit, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it , me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
● Ndërton dhe administron regjistrin në formën e bazës së të dhënave shtetërore, i cili përmban të gjithë informacionin për subjektet e lejuara e të licencuara, kërkesën për licencim, vendimmarrjen për licencimin, kërkesën për autorizim, vendimmarrjen për autorizimin, kërkesën për leje, vendimmarrjen për lejen, gjurmimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin, masat administrative lidhur me të gjitha fazat e kultivimit të cannabis-it, duke filluar nga momenti i dhënies së licencës, lejes dhe autorizimit deri te revokimi i tyre, dhe sekuestrimi apo asgjësimi i bimëve apo nënprodukteve të saj, sipas parashikimeve të ligjit.
● Mban dhe administron regjistra, bazën e të dhënave dhe statistika në nivel kombëtar sipas parashikimeve përkatëse ligjore
● Gjeneron raporte bazuar në të dhënat statistikore mbi bazë kërkese në mënyrë periodike.
● Ndjek ecurinë e projekteve në lidhje me digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të proceseve të punes se agjencisë.
● Bashkëpunon me organizata ndërkombëtare dhe donatorë si pikë kontakti për evidentimin e mundësive të reja për thithjen e fondeve.
● Kryen kërkime mbi zgjedhjet inovative, teknologjitë në zhvillim, tendencat dhe praktikat më të mira në fushën e Agjencisë.
● Shqyrton aplikimin e subjekteve në lidhje me kërkesat për gjurmueshmeri për databazën dhe kriteret e sigurisë dhe të ndjekë procedurat që kanë lidhje me gjurmueshmerinë.
● Mbikëqyr hedhjen e të dhënave në regjistër të të gjitha etapave që kanë lidhje me gjurmueshmerinë.
● Bashkëpunon me institucionet qeveritare për aplikimin e proceseve dhe shërbimeve inovative.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtorisë.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare të Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e fushën e shkencave kompjuterike, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me detyrat kryesore të pozicionit të punës. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
- administratën publike;
· organizata kombëtare/ndërkombëtare;
· në procese pune për ndërtimin/menaxhimin e databazave;
· njohuri në mbledhjen, përpunimin dhe hartimin e raporteve statistikore;
· Eksperiencë në profesion dhe/ose në fushën e TIK;
· Eksperiencë në hartim dhe ose menaxhim projektesh..
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
4. Të jetë i pajisur me Certifikatë të Sigurisë së Personelit të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar të nivelit “Konfidencial” ose “Sekret” ose të plotësojë kushtet për tu pajisur me CSP për nivelet e kërkuara.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
d) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
e) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
1. Kërkesë për aplikim;
2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.