Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 05.08.2024, ora 16.00, , në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Rruga e Kavajës, 1001, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Përgjithshme, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
● Menaxhon dhe përgjigjet për kryerjen e shërbimeve të përgjithshme në institucion në funksion të mbarëvajtjes së punës në Agjenci.
● I propozon Drejtorit të Përgjithshëm rregullat e punës në Agjenci, dhe menaxhon burimet njerëzore të vetë Agjencisë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
● Menaxhon kërkesat për informacion nga publiku dhe operatorët, nëse nuk i është përcaktuar me urdhër një pozicioni tjetër;
● I jep agjencisë një qasje të strukturuar dhe efikase për zbatimin dhe monitorimin e ligjit, duke siguruar se të gjitha proceset janë transparente, ligjore dhe të rregullta në përputhje me legjislacionin që rregullon cannabis-in;
● Përgjigjet për çështjet administrative, administrimin e dokumentacionit dhe shërbimet e arkiv-protokollit.
● Drejton, koordinon dhe mbikqyr proçeset në lidhje me burimet njerëzore, sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Punës, apo në ligje të tjera specifike.
● Drejton, koordinon dhe mbikëqyr proceset e lidhura me mirëadministrimin në mënyrë të integruar të aseteve të nevojshme dhe shërbimet e përgjithshme të funksionimit të Agjencisë.
● Menaxhon në bashkëpunim me Koordinatorin (jurist) proceset që lidhen me ankesat administrative dhe gjyqësore si dhe për çështjet e marrëdhënieve të punës në Agjenci.
● Kujdeset për plotësimin dhe përditësimin e Regjistrit Qendror të Personelit dhe të databazave të tjera në kuadër të drejtorisë dhe garanton që dosjet e personelit të jenë të plotësuara me dokumentacionin e kërkuar.
● Kontribuon në përgatitjen e raportimeve të ndryshme për fushën e drejtorisë që mbulon.
● Merr pjesë në grupe pune të caktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm.
● Kontribuon në proceset që lidhen me verifikimin e pastërtisë së figurës në bashkëpunim më njësië përgjegjëse për sigurinë e personelit.
● I rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm zgjidhje alternative të mundshme brenda kuadrit ligjor dhe teknik për problematikat e ndeshura, apo rasteve konkrete të paraqitura për zgjidhje.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtorisë.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave shoqërore, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
– administratë publike;
– pozicione koordinuese;
– procese pune që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore;
– eksperience në përgatitjen e raporteve dhe akteve;
– hartimin/zbatimin e procedurave administrative.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
ç) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
d) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
1. Kërkesë për aplikim;
2. Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
3. Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
4. Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
5. Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
6. Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
7. Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
8. Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
9. Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
10. Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
11. Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
12. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
13. Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar dhe mënyrës së përcaktuar në shpallje, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.