Dokumentet duhet të dorëzohen deri më datë 19.07.2024, ora 12.00, në mënyrë elektronike në këtë link, si dhe me postë ose dorazi drejtuar:
Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Rruga e Kavajës, 1001, Tiranë, Shqipëri.
Për më shumë informacion mund të drejtoheni në adresën e e-mail: info@nacc.gov.al
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 107, të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i punës së Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të germës ë), të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr. 61/2023 “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, Urdhrit nr.56, datë 5.4.2024, të Kryeministrit, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it”, si dhe Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në vijim Agjencia, shpall vendet vakante për pozicionin Koordinator në Sektorin e Autorizimeve, Lejeve dhe Licencave, në Drejtorinë e Standardeve, Autorizimeve, Lejeve dhe Licencimit, në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, me kriteret si vijon:
I. Përshkrimi i përgjithshëm i punës:
● Merr pjesë në organizimin e procedurave të konkurrimit për përzgjedhjen e subjekteve dhe dhënien e licencës sipas rregullave të përcaktuara në kuadrin ligjor në fuqi.
● Kontribuon në përgatitjen e procedurave dhe dokumentacionit në kuadër të procesit të licencimit të subjekteve, nga shpallja e njoftimit, vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe kritereve të parashikuara nga kuadri ligjor në fuqi deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe propozimit që i përcillet nga Agjencia ministrit përgjegjës për shëndetësinë, dhe siguron që ato të kryhen konform përcaktimeve në kuadrin ligjor në fuqi.
● Mbledh dhe administron të dhënat e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të Agjencisë mbi aktivitetin e licencuar, si dhe për titullarin e licencës, sipas VKM-së që përcakton të dhënat parësore dhe dytësore.
● Koordinon procesin me njësinë e monitorimit të cannabis-it mjekësor për mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve të licencuara, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në licencën për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore.
● Koordinon procesin me njësinë e monitorimit të cannabis-it mjekësor për kryerjen e verifikimeve ndaj subjekteve të licencuara dhe propozon masat administrative me gjobë, ndalim të ushtrimit të veprimtarisë, pezullim dhe shfuqizim të licencës ndaj subjekteve të licencuara, sipas ligjit dhe ja përcjell për shqyrtim Komisionit të Licencave.
● Administron dhe përpunon ndryshimet dhe devijimet nga masat e planifikuara më herët në planin e zhvillimint të biznesit, ndryshimet në dokumentacionin e paraqitur në momentin e paraqitjes së kërkesës për pajisje me licencë dhe ndryshimin e të dhënave që kanë të bëjnë e ndryshimin e subjekteve të treta apo përfundimin e marrëveshjes në lidhje me aktivetet që do të ushtrohen pjesërisht apo tërësisht nga subjekte të treta. Si rrjedhim, përgatit dhënien ose refuzimin e miratimit për këto ndryshime dhe ja përcjell Drejtorit të Përgjithshëm.
● Administron proces-verbalin e dërguar nga kultivuesi i bimës së cannabis-it mjekësor për sasinë e prodhuar, si dhe raportin për përfundimin e procesit të prodhimit, kultivimit dhe masës së fituar të thatë si dhe për asgjesimin.
● Koordinon procesin e lëshimit të autorizimit të eksportit për cannabis-in mjekësor dhe produktet përfundimtare të cannabis-it për qëllime mjekësore.
● Bashkëpunon me strukturat përgjegjëse për doganat për të monitoruar regjimin e importit të farërave e të fidanëve, si dhe regjimin e eksportit të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të cannabis -it mjekësor.
● Paraqet raporte përpara organizatave kompetente ndërkombëtare për importin dhe eksportin e bimës së cannabis-it mjekësor dhe të nënprodukteve ose produkteve përfundimtare të saj;
● Kontribuon dhe bashkëpunon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe strukturat shtetërore për ruajtjen e pastërtisë së figurës së punonjësve të subjekteve të licencuara, si dhe parandalimin e veprave penale.
● Verifikon plotësimin e kushteve të dhënies së licencës çdo 3 vjet dhe nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo përgatit praktikën për t’i kërkuar subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.
● Harton çdo 3 vjet raporte në lidhje me përmbushjen e kushteve të dhënies së licencave dhe rekomandimet e dhëna sipas rastit plotësimin e kushteve apo pezullimin ose shfuqizimin e licencave.
● Kryen funksionet e asistencës dhe të mbështetjes logjistike si pjesë e sekretariatit teknik për mbledhjet e Komisionit te Licencave në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë.
● I rekomandon Drejtorit të Përgjithshëm zgjidhje alternative të mundshme brenda kuadrit ligjor dhe teknik për problematikat e ndeshura, apo rasteve konkrete të paraqitura për zgjidhje.
● Kryen herë pas here detyra të tjera të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi dhe/ose të ngarkuara nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Drejtori i Drejtorisë.
II. Kushtet e përgjithshme që duhet të plotësojë kandidati për të aplikuar pranë Agjencisë janë:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të zotërojë diplomën universitare sipas Nivelit 7 të KSHK (Master i shkencave apo të barasvlefshme me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë);
dh) Të ketë përvojë pune jo më pak se 3 (tre) vjet në profesion;
e) Të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze*;
ë) Të ketë njohuri të mirë të përdorimit të kompjuterit dhe të paktës microsoft;
f) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.
III. Kushtet që duhet të plotësojë kandidati për pastërtinë e figurës janë:
Të plotësojë kriteret e integritetit moral, si pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës sipas Udhëzimit të Përbashkët nr.274,datë 16.05.2024, “Për përcaktimin e procedurave, afateve, kritereve dhe dokumentacionin e nevojshëm për verifikimin e pastërtisë së figurës së punonjësve të agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it apo të subjekteve të licencuara apo të lejuara, si dhe të kritereve etiko-profesionale”.
IV. Kriteret e veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës janë:
1. Në lidhje me fushën e kualifikimeve, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë universitare në fushën e shkencave juridike, ekzakte, agro-inxhinieri, farmaci ose shkenca kimike/ bioteknologjike, si dhe certifikata apo trajnime në lidhje me fushën e studimeve. Diploma e nivelit Bachelor duhet të jetë në të njëjtën fushë me diplomën e nivelit Master Shkencor.
2. Në lidhje me eksperiencën profesionale, kandidatët duhet të kenë përvojë pune në dy ose më shumë nga këto fusha:
– administratë publike;
– pozicione koordinuese;
– procese pune që lidhen me autorizime, leje dhe licenca;
– eksperience në përgatitjen e raporteve dhe akteve;
– në fushën rregullatore të barnave/substancave psikotrope.
3. Të ketë njohuri të mira të një prej gjuhëve të tjera zyrtare (frëngjisht/ gjermanisht/ italisht/ spanjisht) të Bashkimit Evropian*.
V. Kandidati duhet të ketë aftësi të spikatura për të:
a) Koordinuar;
b) Përcaktuar objektiva, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
c) Planifikuar, rishikuar dhe drejtuar punën;
ç) Organizuar burimet, komunikuar dhe prezantuar;
d) Analizuar dhe përshtatur me metodat dhe procedurat e reja.
Gjithashtu kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira analize, vendimmarrjeje të shpejtë, komunikimi dhe prezantimi, si dhe fleksibilitet në pranimin e metodave dhe procedurave të reja.
Vlerësimi bëhet në bazë të:
1.Jetëshkrimit dhe përvojës së kandidatit në përputhje me detyrat kryesore të pozicionit dhe fushën e veprimtarisë së Agjencisë;
2. Përmbushjes së kritereve të veçanta etiko-profesionale për pozicionin e punës;
3. Intervistës/vlerësimit të njohurive dhe aftësive profesionale dhe kompetencave për pozicionin e kërkuar si dhe motvimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.
Vetëm kandidatët e short-listuar që përmbushin kriteret sipas ndarjes II dhe IV (1, 2) do të kontaktohen për intervistë nëpërmjet adresës elektronike postare.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Jetëshkrimi i plotësuar në format europass (shkarko);
- Fotokopje e librezës së punës ose dokument të ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
- Vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna me masë disiplinore;
- Formularët sipas aneksit 1 dhe 2 të Udhëzimit të Përbashkët nr.274, datë 16.05.2024 (shkarko).
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar; (shkarko fomularin) (shkarko cover)
- Fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës;
- Certifikata përkatësisht të gjendjes familjare/personale;
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së arsimit të lartë (Diplomat, certifikatat e gradat e fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit duhet të jenë të njohura dhe të njësuara sipas legjislacionit shqiptar nga ministria përgjegjëse për arsimin);
- Dëshmitë përkatëse për njohen e gjuhëve të huaja (Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri).
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Cdo dokument tjetër shtesë, që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Mosparaqitja e plotë e dokumenteve brenda afatit të caktuar, sjell skualifikim të kandidatit.
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit që përmbushin kriteret, të aplikojnë!
* Njohuritë e gjuhës së huaj duhet të jenë të certifikuara nga institucione publike ose nga subjekte të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin, për ofrimin e testeve ndërkombëtare. Nëse kandidati ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në këtë gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.